NGROHJA E QYTETIT

Projekti i kogjenerimit (rehabilitimi i sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë – Termokos)

Më në fund projekti që ishte paraparë të ndërtohej qysh në fillim të viteve 90-te të shekullit të shkuar gjeti përkrahje dhe atë falë financimit të Bankës Gjermane KFW, Qeverisë së Suedisë, Qeverisë së Luksemburgut, Komisionit Europian dhe Komunës së Prishtinës.

Kontraktori kryesor është Imtech Deutschland Gmbh & Co.KG, ndërsa ekzektues i punimeve në terren janë konzorciumi Allzone sh.p.k. dhe KWE

Sistemi i ngrohjes qendrore të Prishtinës do të lidhet përmes një tubacioni prej 12 km, me këmbyes nxehtësie dhe nxjerrje të avullit nga termocentrali Kosova B, duke e shndërruar këtë TC në central me prodhim të kombinuar të ngrohjes. Ky sistem do të bëjë kursimin e lëndës djegëse, mazutit, do të ulë shpenzimet si dhe do të ketë ndikim pozitiv në mjedis. Ky rrjet ka paraparë instalimin e dy gypave KMR (fi 600/800) të mbështjellë me izolim dhe poliester. Brenda gypave janë kabllot përmes të cilave do të bëhet mbikëqyrja/monitorimi e rrjedhjeve eventuale përmes dy nënstacioneve që do të vendosen në Termokos dhe TC Kosova B.

Përgjatë trasesë 12 km janë paraparë katër stacione (puseta) çdo 3 km në të cilat do të instalohen valvulat si dhe kablli (optik) që do të bëjë të mundur komunikimin në mes Termokosit dhe TC Kosova B.

Ky projekt do të realizohet në tri faza.

Faza e parë përfshin instalimin e vijës së rrjetit nga termocentrali Kosova B deri te ngrohtorja e qytetit të Prishtinës – Termokosi.

Në fazën e dytë do të ndërtohen dy nënstacione të pompimit të ujit, njëri në termocentralin Kosova B, kurse tjetri në Termokos.

Faza e tretë ka të bëjë me lëshimin në punë të sistemit të ngrohjes së qytetit.